Vaji i ullirit ekstra i virgjër vlerësohet shumë për përfitimet e jashtëzakonshme shëndetësore dhe cilësitë shqisore. Megjithatë, vetitë e tij degradohen me kalimin e kohës dhe disa faktorë ndikojnë në jetëgjatësinë e tij.
Për fat të mirë, vaji i ullirit ekstra i virgjër përmban antioksidantë natyralë që mund të ndihmojnë në ruajtjen e cilësisë së lartë edhe disa muaj pasi është mbushur nëpër shishe. Disa vajra ekstra të virgjër të prodhuar mirë mund të ruajnë statusin e tyre "ekstra të virgjër" deri në 18-24 muaj pas prodhimit.
Megjithatë, në disa raste, degradimi i vajit mund të ndodhë edhe brenda disa muajsh. Prandaj, përzgjedhja e vajit të ullirit ekstra të virgjër më të shëndetshëm dhe më të shijshëm nga raftet e një supermarketi kërkon njohuri dhe një kuptim bazë të vetive të tij.
“Debati nëse duhet filtruar apo jo vaji i ullirit nuk është më i përshtatshëm për t’u bërë në kohën tonë. Ndërsa vaji i ullirit i pafiltruar është i njohur për shijen dhe aromën e tij intensive, ai është shumë i ekspozuar ndaj prishjes dhe duhet të konsumohet brenda tre muajve nga prodhimi për të parandaluar sedimentin natyral të ullirit të veprojë si një mjedis edukat për rritjen dhe zhvillimin e një sërë mikroorganizmash të padëshiruar. Është e njohur gjerësisht se ushqimi i destinuar për ruajtje afatgjatë duhet të mbahet sa më i pastër, të filtrohet dhe të ruhet në enë çeliku inoks për të siguruar cilësi optimale. Duke hequr ujin dhe sedimentet, vaji i ullirit i filtruar dallohet për shijet e tij më të mprehta dhe pamjen elegante. Është një zgjedhje e mençur për ata që kërkojnë të provojnë dhe ruajnë shijen e pasur të vajit të ullirit për një periudhë të gjatë.”
Ekspozimi Ndaj Dritës
Drita është armiku kryesor i vajit të ullirit ekstra të virgjër të paketuar. Ekspozimi ndaj dritës bën që vaji i ullirit ekstra i virgjër të humbasë përfitimet shëndetësore dhe profilin e shijes, duke e bërë atë të degradojë dhe të humbasë cilësinë. Antioksidantët që zakonisht e mbajnë vajin të freskët degradohen shpejt nën ekspozimin e dritës, duke e bërë vajin të prishet brenda vetëm disa muajsh. Klorofili, pigmenti jeshil i pranishëm në shumicën e bimëve, aktivizohet nën dritë dhe shkatërron profilin kimik të vajit.
Polifenolet, antioksidantë të pranishëm në vaj ulliri ekstra të virgjër, mbrojnë produktin nga degradimi, por ato nuk mund të parandalojnë fotooksidimin e shkaktuar nga ekspozimi i drejtpërdrejtë i dritës. Kjo do të thotë që shishet qelq apo plastikë, transparente të ekspozuara ndaj dritës nuk do të mbeten “ekstra të virgjëra” për më shumë se disa javë. Edhe shishet ngjyrë jeshile e errët nuk janë plotësisht efektive në ndalimin e kontaktit të dritës me produktin. Paketimi dhe ekspozimi në raft është një çështje kryesore për vajrat e ullirit ekstra të virgjër dhe vajrat e ullirit në përgjithësi. Fotooksidimi vepron shpejt, dhe degradimi ndodh shumë më shpejt në krahasim me një mjedis krejtësisht të errët. Për të ruajtur cilësinë e vajit të ullirit ekstra të virgjër, është mirë ta ruani atë në një vend të freskët dhe të errët, larg çdo ekspozimi të drejtpërdrejtë me dritën.
Paketimi Është Thelbësor: Pse Shishet Transparente Nuk Duhen Besuar Për Vajin e Ullirit
Për të parandaluar dëmtimin nga fotooksidimi të vajit të ullirit ekstra të virgjër, çelësi qëndron në paketimin e duhur. Fatkeqësisht, shumë vajra shiten ende në shishe të papërshtatshme transparente ose jeshile që ofrojnë pak mbrojtje nga ekspozimi i dritës.
Ndërsa disa shishe jeshile mund të ofrojnë mbrojtje minimale, realiteti është se as shishet transparente dhe as ato jeshile nuk janë plotësisht efikase, duke e lënë vajin të prekshëm dhe të ekspozuar ndaj degradimit të shpejtë.
Për të adresuar këtë çështje, shumë prodhues tani po zgjedhin paketimin me mbrojtje nga drita, të tilla si kuti çeliku të galvanizuara ose shishe qelqi të errëta me mbrojtje UVAG. Opsione të tjera përfshijnë Tetra-Paks, paketim në qese brenda kutive dhe shishe qeramike, të cilat janë të gjitha efektive në parandalimin e ekspozimit ndaj dritës.
Edhe pse kontejnerët prej qelqi të veshur plotësisht ose çeliku inoks janë efektivë, ato mund të jenë të shtrenjta dhe rrisin koston e produktit përfundimtar. Mbyllja e shisheve të vajit brenda një kutie dytësore është një zgjidhje tjetër me kosto efektive që ofron mbrojtje të shkëlqyer kundër ekspozimit të dritës. Duke zgjedhur paketimin e duhur, konsumatorët mund të sigurojnë jetëgjatësinë dhe cilësinë e vajit të ullirit të tyre ekstra të virgjër.
Afati i Përdorimit Në Etiketë dhe Data e Vjeljes
Freskia e vajit të ullirit ekstra të virgjër është një faktor kritik për përcaktimin e cilësisë së tij dhe treguesi më i besueshëm për këtë është data e vjeljes. Fatkeqësisht, shumë prodhues të vajit të ullirit nuk e bëjnë të lehtë për konsumatorët të kuptojnë se kur janë prodhuar produktet e tyre. Ata mund të përdorin datën e ambalazhimit, datën e mbushjes në shishe ose afatin e përdorimit, ku te të gjitha këto data lindin pikëpyetje.
Nëse e vetmja datë e disponueshme është data “Të përdoret përpara”, konsumatorët duhet të zgjedhin vajra që janë sa më larg nga kjo datë. Shumica e vajrave të ullirit kanë një afat përdorimi prej 18 muajsh nga paketimi, kështu që nëse vaji është afër kësaj date, le të themi brenda pesë muajve, konsumatorët duhet të përpiqen të gjejnë një shishe më të freskët.
Ndërsa disa blerës mund të përdorin të njëjtën taktikë me artikuj të tjerë që prishen, si qumështi, data e vjeljes është faktori më i rëndësishëm për vajin e ullirit ekstra të virgjër. Ora fillon të trokasë për degradimin e ullinjve dhe vajit që nga momenti i vjeljes.
Si përfundim, në kushte optimale të ruajtjes, si në shtëpi, vaji i ullirit ekstra i virgjër mund të ruajë cilësitë e tij deri në dy vjet. Konsumatorët duhet të shmangin vajrat me një datë vjeljeje më të vjetër se 18 muaj, megjithëse disa argumentojnë se afati kohor duhet të jetë më i shkurtër, nga 12 deri në 24 muaj, në varësi të cilësisë së vajit.
Konsumatorët gjithashtu mund të zbulojnë kur vaji i ullirit nuk është më ekstra i virgjër apo i përshtatshëm për konsum, pasi ata do të ndjejnë defekte në shije dhe aromë. Kur blini vaj në market, gjithmonë kërkoni në etiketë për datën e vjeljes së ullirit, pasi shumë prodhues vendosin vetëm datën e ambalazhimit në etiketë me qellim që të keqinformojnë blerësin dhe t’i japin idenë sikur vaji është më i freskët nga ç’është në të vërtetë.
BURIMET: Olive Oil Times, About Olive Oil